Lajme
Kryesore

Vendimi përfundimtar: Arbër Paplekaj dënohet me 7 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit

Ka marrë formë përfundimtare vendimi i Gjykatës së Apelit për Arbër Paplekajn, i dënuar me 7 vite burgim për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prill të vitit 2021 në Elbasan. Prokuroria e Apelit nuk ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë që nga dhjetori 2024 kur u shpall vendimi, duke çuar në arkivimin e dosjes penale dhe mbetjen në fuqi të dënimit me 7 vite heqje lirie.

Fillimisht, Gjykata e Elbasanit kishte dënuar Paplekajn me 22 vite burg për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Por Apeli ndryshoi kualifikimin juridik të veprës, duke e konsideruar si “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.

Në vendimin e argumentuar, Apeli u mbështet te një ekspertizë psikiatriko-ligjore e cila konstaton se Paplekaj ka qenë në gjendje të rënduar emocionale si pasojë e provokimeve dhe dhunës së ushtruar nga viktima dhe personat që e shoqëronin.

Sipas gjykatës, Xhuvani dhe një grup prej mbi 20 personash kishin mbërritur në vendngjarje me disa automjete dhe kishin ushtruar dhunë dhe fyerje ndaj Paplekajt, duke përfshirë edhe sharje ndaj familjarëve të tij. Shtyrja fizike dhe ndarja e Paplekajt nga grupi, u konsiderua si faktorë nxitës të reagimit të menjëhershëm.

Gjykata konstaton gjithashtu se ngjarja ndodhi në pak sekonda dhe në vendin e ngjarjes rezultojnë të kenë qenë edhe dy qitës të tjerë të paidentifikuar, të cilët kanë qëlluar nga një distancë shumë e afërt ndaj viktimës.

Në të njëjtin vendim, Apeli shpalli të pafajshëm disa punonjës të policisë së Elbasanit të përfshirë në hetime, përfshirë Albert Nushin, Nikollaq Pallan, Dedjon Durakun, Pëllumb Biçakun, Erjon Ballën, Erjon Meçjan, Donald Dedjan dhe Besmir Kadiun.

Bazuar në vendimin aktual, pritet që Arbër Paplekaj të përfundojë dënimin brenda 1 viti e gjysmë dhe të lirohet nga burgu.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button