Kosova pëson rënie drastike në lirinë e shtypit: Renditet e 99-ta në botë, më keq në rajon

Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, të publikuar nga organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” (RSF). Nga 180 vende të listuara, Kosova renditet në pozitën e 99-të, duke zbritur me 24 vende nga viti i kaluar dhe duke u pozicionuar më keq se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.
Ky është viti i dytë radhazi i rënies së ndjeshme për Kosovën në këtë indeks, pasi në vitin 2024 ajo ishte renditur në vendin e 75-të, ndërsa në vitin 2023 në të 56-in.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi menjëherë ndaj raportit, duke e cilësuar renditjen si “alarmante” dhe pasojë të një politike të vazhdueshme armiqësore ndaj mediave nga qeveria aktuale. “AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta për një dekadë, që prej vitit 2015”, thuhet në reagim.
Edhe këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, theksoi një sërë faktorësh që kanë ndikuar në këtë situatë: sulme politike ndaj gazetarëve, ligje kufizuese, bojkot i mediave nga pushteti, si dhe mungesë e ndjekjes penale për sulme ndaj gazetarëve. Ajo kërkoi krijimin urgjent të një komiteti kombëtar për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve.
Raporti i RSF-së vë në dukje se gazetarët në Kosovë përballen me fyerje, kërcënime, lajme të rreme dhe madje edhe akuza për “bashkëpunim me armikun” – një retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare. Vetëm në vitin 2024, AGK regjistroi 24 raste të kërcënimeve apo sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa në 2023 ky numër ishte 53.
Një nga faktorët që e rëndoi situatën ishte ligji për Komisionin e Pavarur për Media, i miratuar verën e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, që parashihte licencimin dhe gjobitjen e mediave online. Ligji u kundërshtua ashpër dhe u rrëzua këtë javë nga Gjykata Kushtetuese, që gjeti se disa nene të tij nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.
Raporti thekson gjithashtu krizën ekonomike që po prek mediat në rajon dhe më gjerë, e përkeqësuar nga ndërprerja e ndihmës amerikane dhe ndikimi në rritje i propagandës ruse. Këto zhvillime kanë dëmtuar veçanërisht vendet me regjim autoritar dhe korrupsion të lartë.
Ndërkohë, Shqipëria ka shënuar përmirësim, duke u renditur në vendin e 80-të, krahasuar me pozitën e 99-të që kishte vitin e kaluar. Mali i Zi (vendi i 37-të) dhe Maqedonia e Veriut (42) kryesojnë renditjen në Ballkan, ndërsa Serbia renditet në vendin e 96-të dhe Bosnje e Hercegovina në të 86-in.
Raporti i RSF-së është një thirrje e fortë për veprim të menjëhershëm në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe pavarësisë së mediave në Kosovë.