Lajme

Dritan Rexhepi dëshmon në GJKKO: Kam qenë në burg në Ekuador, s’kam lidhje me Funiqin dhe të tjerët

Në një dëshmi të dhënë para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i shumëkërkuari Dritan Rexhepi ka mohuar çdo përfshirje në rrjete ndërkombëtare të trafikut të drogës, si dhe çdo lidhje me emra të përmendur në media.

Ai sqaroi se në fundin e vitit 2019 ndodhej në burg në Ekuador, ku po vuante një dënim prej 13 vitesh për trafik droge, nga të cilat kishte kryer 5 vite e 4 muaj. “Kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador. Kam qenë i dënuar 13 vite për trafik droge”, tha Rexhepi.

Në dëshminë e tij, Rexhepi hodhi poshtë akuzat për lidhje me Gentjan Funiqin dhe emra të tjerë si Martin Bleta apo Korado Gështenja. “Gentian Docaj (Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen që kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Me të nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë,” u shpreh ai.

Ai tregoi gjithashtu se kishte kontakte të kufizuara me jashtë përmes kabinës së burgut dhe kishte afërsi vetëm me një të burgosur nga Kosova. “Nuk kam bërë asnjë lloj bashkëpunimi për të dhënë para lidhur me trafikun e drogës,” theksoi Rexhepi.

Lidhur me një rast të vjedhjes së një sasie droge në portin e Portsmouth-it në Londër, ai tha se nuk kishte asnjë dijeni dhe e kishte marrë vesh nga mediat shqiptare. “Në fund të vitit 2019 nuk kisha informacion për atë çështje. Kam dëgjuar nga familjarët që në Shqipëri akuzohesha për diçka që kishte ndodhur aty,” deklaroi ai.

Dëshmia e Rexhepit vjen në një moment kur autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare vijojnë hetimet për grupet kriminale që operojnë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button