
Gazetarja Ola Xama komentoi vendimin e SPAK për të pandehurit e dosjes së inceneratorit të Tiranës.
Në emisionin “Të Paekspozuarit”, Xama tha se është hetuar vetëm procedura, edhe pse kjo dosje ka 4 vjet dhe 6 muaj që hetohet dhe Prokuroria nuk është në gjendje të thotë se kush është përgjegjës për faktin që janë dhënë 130 milionë euro, nga të cilat 90 milionë janë dhënë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga dherat dhe nuk ka incenerator.
Xama: Shtatë nga 12 të akuzuarit kanë marrë dënime minimale për shpërdorim detyre dhe disa kanë marrë dënim shërbim prove.
Kjo pritej të ishte një nga çështjet më të mëdha se ishte e para që nisi kjo Prokurori. Te inceneratori i Tiranës kemi një situatë qesharake dhe të dyzuar. Kanë mbaruar hetime në shkallën e parë, por vazhdojnë hetimet.
Prokuroria ka hetuar vetëm procedurën. Kjo dosje ka 4 vjet dhe 6 muaj që hetohet.
Është hetuar vetëm letrat dhe procedura e dhënies së koncesionit dhe është gjetur shpërdorimi i detyrës.
Është vërtetuar se letrat janë bërë nga dyshja Klodian Zoto-Mirel Mërtiri, të njëanshme. Por edhe pse u bënë letrat sot Prokuroria e Posaçme nuk është në gjendje të thotë se kush është përgjegjës për faktin që janë dhënë 130 milionë euro, nga të cilat 90 milionë euro janë dhënë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga dherat dhe nuk ka incenerator. Dhe këtë Prokuroria është duke e hetuar akoma.
Dalin dy shkelje te procedura e dhënies së lejes së inceneratorit: Leja e dhënë nga Veliaj dhe shkelja e dytë marrja përsipër e financimit të inceneratorit nga ana e Veliajt pa miratimin e këshillit bashkiak.