DiasporaKryesoreLajme

Diplomatët-sekserë: Automjetet e Ambasadës në Itali mbledhin vota për PS-në

Nga ALBA KEPI

Automjete me targa diplomatike të Ambasadës shqiptare në Romë mësyjnë Italinë, me lista patronazhimi e forcën e qeveritarit, diplomatë shqiptarë pretendojnë votën për Partinë Socialiste tek emigrantët shqiptarë në Itali. Madje shkojnë më tej. Në këto ditë të fundit të afatit kohor për udhëtimin e mbërritjen e zarfeve të DHL në KQZ, automjete me targa diplomatike shqiptare janë ofruar t’i tërheqin zarfet pranë banesave të shqiptarëve në vend të postës private.

Emigrantët shqiptarë me banim në komunat e rajonit Lazios (Rome) si Capena, Montorotondo, Mentana, apo në lagjet romane si Torre Angela, Torre Gaia, Casilina. Grotte Celoni e të tjera në kufij me to, shprehin me shqetësim se një automjet me targa CD0201AA i Ambasadës shqiptare në Romë ka kërkuar takime me familje emigrantësh shqiptarë duke influencuar votën e kërkuar që zarfet e DHL t’u dorëzohen atyre.

Persona të veshur me statusin e diplomatit të paguar për t’i shërbuar diplomacisë shqiptare e ligjshmërisë së kushtetutës që sanksion pavarësinë e strukturave diplomatike të një shteti, janë kthyer në sekserë të votës socialiste.

Të paguar nga taksapaguesit shqiptarë e me automjete të paguara po nga taksapaguesit shqiptarë, diplomatë e automjete diplomacie udhëtojnë çdo orë e ditë për të “përmbushur” urdhërin e kryetarit të tyre: “Dua 100 mijë vota nga Diaspora!”

Verifikimet e bëra rezultojnë se ky automjet i përket një personi që ka vetëm pak muaj që është punësuar në Ambasadë shqiptare në Romë, pas shumë vitesh që jeton në Itali në një qytezë mjaft të famshme për turizmin botëror.

Faktet e sotme vërtetojnë se ky punësim ka ardhur me detyrën për të punuar për Partinë Socialiste brenda një strukture diplomatike siç është Ambasada.

Burimet bëjnë me dije se diplomati në fjalë ka një bashkëpunim të ngushtë me qarkun e Lezhës e eksponentët kryesorë socialistë në këtë territor; Pjerin Ndreu e Ulsi Manja.

Emigrantët shqiptarë sinjalizojnë se automjeti me targa diplomatike që udhëton nga një katund i Lazios në tjetrin ka si shofer një person që nuk është i punësuar në Ambasadën shqiptare në Romë. Verifikimet e kryera zbardhin se për motive që vetëm ai mund t’i dijë, ka ndryshuar emër në Itali.

Shqetësimi i komunitetit të emigrantëve shqiptarë është se Partia shtet me forcën e arrogancës që i jep pushtetit bën presion tek familje e emigrantëve për të votuar kandidatët e tyre si dhe dorëzimin e zarfeve të DHL.

Alarm është dhe fakti që marrja e zarfeve nën petkun e “garancisë shtet”, mund të “zhduk” zarfet me vota që nuk figurojnë në listat patronazhiste socialste, por që familje emigrantësh të thjeshtë i dorëzojnë në pamundësi të gjetjes së pikës më të afërt të DHL, apo të kohës që kanë në dispozicion.

Posta Private DHL ka në Itali vetëm disa pika zyrtare shpërndarjeje, e mjaft pika të tjera që kanë autorizimin të marrin dërgesa të saj.

Mungesa e një informacioni mbi pikat e autorizuara favorizon këtë abuzim skandal që denoncojnë emigrantët shqiptarë.

Rastet e denoncuara janë deri më sot në rajonin e Lazios, por asgjë nuk përjashton se ky automjet e personat brenda tij me statusin që i jep targa CD (Corpo Dilomatico) e punësim Diplomat, të njëjtin aktivitet ka kryer e kryen në rajone të tjera të Italisë.

Duke kujtuar kronikën e ngjarjeve mes Shqipërisë e Italisë, po një automjet me targa qeveritare të qeverisë socialiste, sçc ishte ai i Ministrit Sajmir Tahiri u përdor në Itali për të lehtësuar trafikun e drogës për llogari të një grupi të strukturuar mafioz italo-shqiptar i akuzuar për trafikin e 20 milionë euro lëndë narkotike.

Targa diplomatike e veshja diplomatike lehtëson lëvizjen, eviton kontrollet e në këtë rast me sa duket ka marrë dhe statusin e militantit socialist në Diasporë.

Partia shtet e shteti Parti është në aksion politik jo vetëm në administratë e ministri por dhe në Diplomaci.

Emigrantët që sinjalizojnë këtë fakt me të drejtë shprehin me shqetësim: “Derisa përdorin me kaq prepotencë statusin e diplomatit për të kërkuar e i dorëzuar votën, kush mund të thotë se nuk shkojnë dhe më te për ta marrë këtë votë, qoftë me para o me kërcënim, qoftë me premtime apo favore personale”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button