Danimarka ndalon fluturimet e dronëve civilë para samitit të BE-së, Bundeswehri ofron mbështetje sigurie
Danimarka ka njoftuar se nga e hëna deri të premten do të mbyllë hapësirën ajrore për të gjitha fluturimet e dronëve civilë, për shkak të samitit informal të krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian që do të mbahet në Kopenhagen më 1 dhe 2 tetor.
Ministria daneze e Transportit bëri të ditur të dielën (28.09.) se vendimi është marrë si masë sigurie, pas fluturimeve misterioze të dronëve të paidentifikuar mbi territorin e Danimarkës në ditët e fundit. Që nga 22 shtatori, këto incidente kanë detyruar autoritetet të mbyllin disa aeroporte, ndërsa kryeministrja Mette Frederiksen i ka cilësuar ato si “sulme hibride”. Deri më tani, nuk ka të dhëna mbi autorësinë e këtyre fluturimeve, ndërsa Rusia ka mohuar çdo përfshirje.
Si Presidentja aktuale e Këshillit të BE-së, Danimarka do të presë këtë javë jo vetëm samitin e BE-së, por edhe atë të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Në fokus pritet të jenë mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe forcimi i gatishmërisë së përbashkët evropiane për mbrojtje.
Në kuadër të sigurisë, Danimarka ka kërkuar ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë. Ministria gjermane e Mbrojtjes njoftoi se Bundeswehri do të kontribuojë në mbrojtjen nga dronët, pas kërkesës së Kopenhagenit. Po ashtu, NATO planifikon të vendosë fregatën gjermane “Hamburg” në Detin Baltik, si pjesë e misionit “Baltic Sentry”, e cila javën e kaluar mori pjesë në stërvitje me anije amerikane, suedeze dhe finlandeze.
Kancelari gjerman Friedrich Merz gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen në të dy samitet.



