Bota

Çmimi i arit shënon rekord historik mes pasigurisë globale

Çmimi i arit ka arritur një nivel të ri rekord, duke u rritur në 3,508.50 dollarë për ons, raporton BBC. Ky trend në rritje, që ka sjellë një shtrenjtim me gati një të tretën vetëm gjatë këtij viti, po nxitet nga pasiguritë ekonomike dhe gjeopolitike në tregjet botërore.

Ari shihet tradicionalisht si një aset i sigurt gjatë periudhave të paqëndrueshmërisë ekonomike. Ekspertët theksojnë se vendimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë tarifat e gjera që kanë tronditur tregtinë globale, kanë ndikuar fuqishëm në këtë lëvizje.

Adrian Ash, drejtor i kërkimeve në BullionVault, tha për BBC se rritja e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me politikën amerikane. “Ishte zgjedhja presidenciale e SHBA-ve vitin e kaluar ajo që i vuri zjarrin tregut”, u shpreh ai.

Një tjetër faktor që po ndikon çmimin e arit është pritshmëria se Rezerva Federale do të ulë normën bazë të interesit, duke e bërë arin edhe më tërheqës për investitorët. Por tensionet mes Trump-it dhe Fed-it kanë ngritur shqetësime për pavarësinë e institucionit. Trump ka kritikuar vazhdimisht kreun e Fed-it, Jerome Powell, dhe ka tentuar të largojë nga bordi edhe guvernatoren Lisa Cook.

Derren Nathan nga Hargreaves Lansdown tha se “përpjekjet e Trump-it për të minuar pavarësinë e Bankës Federale” kanë shtuar kërkesën për asetet e sigurta si ari. Edhe presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, paralajmëroi se çdo ndërhyrje në pavarësinë e Fed-it do të përbënte një “rrezik serioz” për stabilitetin ekonomik global.

Ndryshe nga periudhat e mëparshme, kur kërkesa për bizhuteri binte me rritjen e çmimit, këtë herë Kina dhe India po mbeten blerëse aktive. Konsumatorët në këto dy tregje të mëdha po orientohen nga bizhuteritë drejt formave të investimit në ar, si shufrat dhe monedhat, duke e mbajtur kërkesën të qëndrueshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button