
Nga Durrësi, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paralajmëruar banditët e aktivizuar nga Edi Rama për të blerë, mbledhur vota dhe për të ushtruar presion ndaj qytetarëve.
Gjatë fjalë së mbajtur në takimin e prezantimit të kandidatëve për deputet të PD-ASHM, Berisha deklaroi: ‘Unë i them nga kjo sallë këtu sot çdo banditi, i them Visit të Pojës, Suel Çelës, Shytëve kudo që janë, se për çdo votë, do keni një vit më shumë dënim’.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha
Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë kurrë e tillë nëse ne flemë mbi vuajtjen, mbi dhimbjen, mbi lëndimin.
Por përsëri Shqipëria Madhështore nuk është një projekt në qoftë se ne nuk garantojmë një ekonomi të fortë.
Prodhim, prodhim dhe vetëm prodhim në të katër anët e Shqipërisë.
Rroga të larta, prodhim dhe vetëm prodhim.
Shqipëria është vend i bekuar me rezerva të jashtëzakonshme, nëntokësore, mbitokësore, turistike dhe të gjithanshme.
Shqipëria po rrokulliset, narkoeuro ka rrëzuar përtokë ekonominë e saj.
Merr fund!
E gjithë filozofia jonë o qytetar është tek besimi që kemi tek fuqia jote si njeri i lirë për të ndërtuar ekonominë, për të ndërtuar mirëqenien.
Ne besojmë tek iniciativa juaj e lirë, pasuritë publike do i shndërrojmë në pasuritë tuaja.
Paratë, të ardhurat do i shndërrojmë në rrogat dhe pensionet tuaja.
Taksat do i përgjysmojmë kudo, dhe më shumë se përgjysmim.
Jam këtu për t’u zotuar para jush se taksa 10 përqind do jetë ndër firmat e para që do vendosim mbi tatim fitimin.
Jam këtu për t’u zotuar para jush se TVSH-ja, një tabu pothuajse 30-vjeçare, do zbresë nga 20 në 15 përqind.
Se politika stimuluese, favorizuese për kthimin e shqiptarëve nga diaspora do implementohen menjëherë. Pesë vite pa asnjë taksë. Kredi të buta për ta. Kredi të buta për të gjitha gratë që duan të mbajnë biznese. Grante për to. Kredi të buta për të rinjtë që nisin biznesin.
Do bëjmë gjithçka që të rinjtë, ëndrrën e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri.
Shqipëria Madhështore nuk ndërtohet kurrë nëse të rinjtë nuk ndërtojnë në këtë tokë ëndrrën e tyre.
Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ëndrrave të të rinjve shqiptarë.
Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka për shkollimin e tyre, për punësimin e tyre, për strehimin e tyre. Do kreditojmë strehimin dhe startupet e tyre.
Miq, Shqipëria e ka jetike energjinë, vitalitetin e të rinjve të saj. Do bëjmë gjithçka të kthehen edhe nga diaspora.
Me politika demografike ne do paguajmë si shtet nga lindja deri në 23 vjeç fëmijën e tretë.
Shqipëria bëhet madhështore vetëm kur ajo të arrijë në madhështinë e familjes shqiptare, kur familja shqiptare të jetë një familje solide, një familje e vlerave, një familje e vizionit dhe edukatës.
Një familje, të cilën kurrë më nuk do guxojë t’i thotë kush nënës dhe babait prindi 1 dhe prindi 2. Merr fund kjo!
Këta që donin të sillnin këtë moral, këta janë postmarksistë, janë më të këqinj dhe Marksi dhe nuk do kenë vend kurrë në Shqipëri.
Miq, Shqipëria Madhështore kërkon pastrimin e shtëpisë dhe unë jam këtu para jush për t’u zotuar në mënyrën solemnte se zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
Unë i them nga kjo sallë këtu sot çdo banditi, i them Visit të Pojës, Suel Çelës, Shytëve kudo që janë, se për çdo votë, do keni një vit më shumë dënim.
Mos prekni votën e shqiptarëve.
Do mjeroheni në atë mënyrë që nuk e imagjinoni kurrë.
Ushtarë të të keqes së Edi Ramës, guxoni dhe kërcënoni qytetarët, do e pësoni siç e meritoni.
Shkoj në Lushnje dhe atje më del një Kidiona Zaka, kandidate e bandës.
Shkoj në Elbasan, Sara Mile, me porosi Edi Rama, Suelit, që puna jote do matet me votat që merr Sara.
Këtu përsëri Gjushi dhe Gjushi me fustan dhe Poja dhe këta çdo natë mblidhen si hiena për të bërë plane për të vjedhur votat e qytetarëve të Durrësit.
Unë u them të tre këtyre, unë u them të gjithëve, nuk do ketë dënime më të rënda kurrë Shqipëria se dënimin për prekjen e votës tuaj.
Dhe u garantoj, dëgjoni ju banditë se dëshmitari i pari që dëshmojë kundër jush do jetë Gys Agasi, që tani u ndërsen.
Shtëpia do pastrohet. As Zoti nuk hyn pa e pastruar Shqipërinë.
Shtëpia do pastrohet nga këta hajdutë që nuk kanë lënë gjë pa u vjedhur ju.
Nga këta ministra që zhgërryhen në luks të verbuar, të shkëputur nga ju.
A i patë se çfarë ndodhi ditën që hapën fushatën?
Po si mundet një kryeministër të hapë shishen e verës 33 mijë euro?
Po njeriu që pranon orën 600 mijë, 500 mijë euro, është i gatshëm të shitet këmbë e krye te kriminelët dhe ky është Edi Rama.