Lajme

Berisha premton ulje të taksave dhe energjisë për biznesin e vogël: “Çdo gjobë do falet, do ketë pension minimal 200 euro”

Në një takim me tregtarët e Tregut Industrial në Tiranë, lideri i opozitës, Sali Berisha, prezantoi masat ekonomike që Partia Demokratike synon të ndërmarrë nëse merr drejtimin e qeverisë. Ai theksoi se mbështetja ndaj biznesit të vogël do të jetë një nga prioritetet kryesore të programit të PD-së, duke e cilësuar këtë sektor si thelbësor për punësimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ulje taksash dhe energjie

Berisha deklaroi se qeveria e tij do të kufizojë taksat për biznesin e vogël në vetëm 1% të xhiros, në krahasim me nivelin aktual prej 8%. Po ashtu, ai premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike nga 18 lekë në 6 lekë për kilovat dhe përgjysmim të çmimit të ujit.

“Do bëjmë gjithçka për një frymëmarrje më të madhe sepse për ne, biznesi i vogël është themelor për punësimin e njerëzve”, u shpreh Berisha.

Amnisti për gjobat dhe lehtësira për hapësirat publike

Një tjetër masë e rëndësishme e shpallur nga Berisha është falja e të gjitha gjobave të vendosura ndaj bizneseve të vogla dhe qytetarëve. Ai paralajmëroi edhe ulje drastike të tarifave për hapësirat publike, duke rikthyer çmimin nga 1500 lekë në 120 lekë për metër katror.

“Të gjitha gjobat mbi ju do falen. Ata që kanë vendosur gjoba do ikin në të shkuarën,” tha ai.

Tavan më i lartë për përjashtim nga taksat

Kreu i opozitës njoftoi edhe rritjen e kufirit të xhiros për bizneset që përjashtohen nga taksat, nga 140 mijë në 180 mijë euro.

Mbështetje për pensionistët dhe shëndetësinë

Në fjalën e tij, Berisha premtoi edhe një rritje të ndihmës për shtresat në nevojë. Sipas tij, nuk do të ketë pension nën 200 euro, dhe e njëjta shumë do të aplikohet si minimum për ndihmën ekonomike.

Ai kritikoi sistemin shëndetësor aktual, duke theksuar se qytetarët po detyrohen të shpenzojnë gjithnjë e më shumë nga xhepi për shërbime private, për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve dhe shërbimeve në spitale publike.

“Sot shqiptarët paguajnë 820 milionë euro nga xhepi për kujdesin shëndetësor. Kjo merr fund. Ne jemi të vendosur që 100 ditët e para ta ndryshojmë këtë situatë,” përfundoi Berisha.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button