Berisha: PD me avokatin e Trump, Rama me bandat – Më 12 maj shpallen grupet terroriste

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Edi Rama është “i tmerruar” pas kontraktimit të avokatit të ish-presidentit amerikan Donald Trump nga fondacioni “Make Albana Great Again”, për të lobuar në favor të opozitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha publikoi një pjesë nga fjala e tij në takimin elektoral në Kuçovë, ku theksoi se Rama dhe grupet kriminale që e mbështesin nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë pas 11 majit.
“Partia Demokratike me avokatin e Presidentit Trump në krah! Ndërsa Edvini me bandat e tij! Nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë që po vjen,” shkruan Berisha, duke ndarë edhe një video nga aktiviteti.
Berisha shtoi se avokati Chris LaCivita do të përfaqësojë kauzat e PD-së dhe të shqiptarëve për votën e lirë, ndërsa akuzoi Ramën se është rreshtuar krah individëve të inkriminuar.
“Këto dy ditë është i tmerruar edhe më shumë, sepse mësoi se Partia Demokratike ka marrë për avokat të kauzave tuaja të drejta avokatin e presidentit Donald Trump. Në një anë opozita me Chris LaCivitën, në anën tjetër ai me Vullnet Sinën, Suel Çelën, Bajrat, Hajrat dhe të tjerë,” deklaroi Berisha.
Duke e mbyllur fjalën e tij, lideri i PD-së paralajmëroi se më 12 maj disa grupe kriminale që mbështesin qeverinë do të shpallen zyrtarisht “grupe terroriste”.