Lajme

Gazment Bardhi në Libofshë: Qeveria mashtron fermerët, fondet e IPARD-it u vodhën

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me banorët e Libofshës, ku ka denoncuar mosmbështetjen e tyre nga qeveria dhe dështimin e premtimeve të bëra në zgjedhjet e vitit 2021.

Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për mashtrimin e fermerëve, duke theksuar se fondet europiane të IPARD-it, të premtuara për zhvillimin e bujqësisë, nuk u shpërndanë sipas destinacionit. Sipas tij, këto fonde u vodhën, duke lënë pa ndihmë fshatarët e zonës.

Gjatë takimit, ku ishte i shoqëruar nga Luan Hoti dhe kandidatja Suzana Numani, Bardhi dëgjoi shqetësimet e banorëve lidhur me mungesën e infrastrukturës bazike, si rrugët, uji i pijshëm dhe kanalizimet. Ai akuzoi drejtpërdrejt ministren Belinda Balluku për dështimin në realizimin e këtyre investimeve jetike.

“Sikur vetëm tenderin e tunelit të Llogarasë ta kishin bërë në mënyrë të rregullt, 50 milionë eurot e vjedhura, për të cilat po heton SPAK-u, do të mjaftonin që Libofsha të ishte kthyer në një zonë supermoderne bujqësore,” u shpreh Bardhi.

Ai u bëri thirrje banorëve që në zgjedhjet e 11 majit të mbështesin Partinë Demokratike, duke premtuar subvencione direkte për fermerët dhe rritje të prodhimit bujqësor, çka do të sillte më shumë të ardhura për familjet e zonës.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button