Berisha paralajmëron Ramën: Skandali McGonigal nuk do të mbyllet kurrë – “Kazani po zien”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar se skandali McGonigal nuk do të mbyllet asnjëherë. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha nuk kurseu ironinë ndaj Ramës, duke i kujtuar atij se “kazani po zien”, teksa përmendi edhe detaje të reja lidhur me skandalin.
I pyetur për komentet e Ramës mbi statusin e tij “non grata” në SHBA, Berisha iu përgjigj duke përmendur ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Sipas tij, Blinken është sot një person i padëshiruar në vendin e vet dhe duhet të përballet me drejtësinë amerikane.
“Për sa i përket asaj që tha ai, unë them dy fjalë, se Antony Blinken sot është non-grata në vendin e tij dhe uroj të paraqitet para drejtësisë amerikane. I them gjithashtu se në qoftë se Blinken bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo i papaguar, nuk di gjë, për t’i mbuluar skandalin e tmerrshëm McGonigal, kazani po zien. Ai skandal nuk mbyllet kurrë,” u shpreh Berisha.
Ndër të tjera, kreu demokrat vuri theksin te mungesa e transparencës së Ramës, duke e quajtur atë “njeri të ndryrë që ka frikë nga gazetari”.
“Unë dhe ai dhe çdo politikan kemi detyrim elementar ndaj qytetarëve shqiptarë të paraqitemi para gazetarëve. Pardje lexova një artikull: Presidenti Donald Trump është paraqitur para gazetarëve dhe ka komunikuar me ta 20 herë më shumë se pasardhësi i tij në 4 vite. Me këtë qëndrim anti-transparencë, anti-media, nuk ia vlen ta konsiderosh për asgjë,” shtoi Berisha.
Deklarata e tij vjen në një moment tensioni të lartë politik, teksa opozita vijon të akuzojë qeverinë për lidhje me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.