Berisha takim me tregtarët në Tregun Industrial: Situata alarmante, por premton lehtësira për biznesin e vogël

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me tregtarët në Tregun Industrial në Tiranë, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet e sipërmarrësve të vegjël dhe ka përshkruar një realitet të zymtë ekonomik për këtë kategori. Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi situatën si “dëshpëruese dhe alarmante”, për shkak të mungesës së blerësve, rënies së shitjeve dhe penalizimeve të shumta me gjoba nga bashkitë.
“Gjeta shitës që më informonin se pothuaj nuk shesin asgjë. Të tjerë më thanë se janë të vetmit të rinj në atë treg, sepse nuk ka më të rinj që investojnë apo blejnë,” tha Berisha.
Ai denoncoi “skuadrat plaçkitëse të bashkive” që, sipas tij, po i godasin këta tregtarë me gjoba të padrejta. Megjithatë, kreu i PD vuri në dukje se programi i partisë së tij për biznesin e vogël është pritur pozitivisht nga tregtarët.
Ndër premtimet kryesore të PD-së për këtë kategori janë:
Rritja e pragut për biznesin pa taksa nga 140 mijë në 180 mijë euro,
Ulja e çmimit të energjisë nga 18 lekë në 6 lekë,
Përgjysmimi i çmimit të ujit,
Ulja e tarifave për sipërfaqet publike nga 1500 në 120 lekë,
Linja kredie të butë për biznesin e vogël,
Amnistia e të gjitha gjobave të vendosura,
Kufizim për bashkitë që të mos taksojnë më tej këtë biznes.
Berisha premtoi se të gjitha këto masa do të zbatohen brenda tre muajve të parë të një qeverisjeje të mundshme të PD-së.
“Pashë një mbështetje të gjerë dhe optimizëm, pavarësisht bindjeve politike. Për ne, biznesi i vogël është gjeneratori kryesor i punësimit dhe do të bëjmë gjithçka për suksesin e tij,” përfundoi Berisha.