Berisha nga SPAK: Rama ka vjedhur 630 milionë euro, SPAK mbron pushtetin dhe sulmon opozitën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sërish në një deklaratë të fortë për mediat pas paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke akuzuar këtë institucion se është kthyer në një instrument politik në duart e kryeministrit Edi Rama për të goditur opozitën.
Berisha u shpreh se SPAK nuk po heton asnjë nga aferat korruptive të qeverisë që, sipas tij, kapin shifrën e 630 milionë eurove. Ai theksoi se ndërkohë që ai dhe opozita janë vënë nën hetim pa asnjë provë, dosjet që implikojnë anëtarë të qeverisë dhe eksponentë të Partisë Socialiste qëndrojnë në sirtarë.
“Me këtë rast ftoj çdo qytetar të pyesë Skapin e partisë, pse Taulant Balla është i lirë dhe bën fushatë, kur ata flenë mbi dosjet e krimeve të tij. Ai është pjesë e grupeve kriminale Toyota Yaris, Suel Çela dhe Bajrat,” deklaroi Berisha, duke e quajtur SPAK-un një “instrument politik të Ramës”.
Ai i kujtoi opinionit publik se hetimi ndaj tij ka zgjatur katër vite dhe nuk ka prodhuar asnjë provë që të tregojë përfitime të paligjshme nga ai apo familja e tij, ndërkohë që qeveria vazhdon të shpërdorojë fondet publike në mënyrë të pakontrolluar.
Mes aferave që sipas Berishës janë lënë në heshtje nga SPAK, përmenden:
130 milionë euro për inceneratorin e Tiranës, pa vënë asnjë tullë.
80 milionë euro për anijet “fantazmë”, të njohura si “Tigrat e Belindës”.
120 milionë euro për check-up-in, me analiza që nuk kryhen.
60 milionë euro për tunelin e Llogarasë, me dyshime për ndarje fondesh mes zyrtarëve.
110 milionë euro dëmshpërblim për Francesco Becchettin, pas mbylljes së Agon Channel.
105 milionë euro humbje nga Air Albania.
Berisha përmendi edhe abuzime me pronat publike dhe pasuritë e paluajtshme, përfshirë tokat në Gjipe dhe Surrel, që sipas tij janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga Rama dhe familjarët e tij.
“Vetëm këto skandale që përmenda, kapin shumën 630 milionë euro të grabitur nga Edi Rama e kompani,” tha Berisha, duke ftuar qytetarët që më 11 maj t’i japin përgjigjen e tyre kësaj situate përmes votës.
Ai e përmbylli deklaratën duke ritheksuar se çështja ndaj tij është e gjitha politike dhe se drejtësia e vërtetë do të vijë nga qytetarët.