KryesoreLajme
Kryesore

Berisha dhe Bylykbashi në Fushë-Krujë: 11 maji, takimi me historinë për ndryshimin e Shqipërisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me qytetarët e Fushë-Krujës, ku është pritur nga një numër i madh qytetarësh.

Gjatë këtij takimi, drejtuesi politik i PD për Durrësin, Oerd Bylykbashi, theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë një mundësi historike për të ndryshuar kursin e vendit.
Ai e cilësoi këtë moment si një përgjegjësi të madhe, duke shtuar se vetëm bashkimi i shqiptarëve do të mund të çonte përpara aspiratën për një Shqipëri europiane, larg qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës.

Bylykbashi u shpreh se 12 vitet e qeverisjes së Ramës janë shkatërruese dhe se tani është koha që qytetarët të bashkohen për të sjellë ndryshimin, duke votuar për PD-në në 11 maj.

Fjala e tij:

Jemi bërë bashkë në këtë front për të rrëzuar Edi Ramën. Vetëm 9 ditë na ndajnë nga 11 Maji – është takimi ynë me historinë, është takimi ynë me përgjegjësinë për të qeverisur drejt këtë vend që prej 12 vitesh grabitet.

Është koha që ta shfrytëzojmë çdo ditë për të bindur këdo që ende ka nevojë të drejtohet drejt së ardhmes europiane të vendit. Nuk mjafton vetëm të tregojmë se sa e errët ka qenë qeverisja 12-vjeçare e Edi Ramës. E vetmja “alternativë” që ai ka ofruar në gjithë këto vite ka qenë bashkëqeverisja me krimin, korrupsioni, presioni, paraja, dhuna dhe shkelja e të drejtave të qytetarëve.

Edi Rama sot nuk ka mundësi të paraqesë një bilanc për 12 vitet e tij, sepse është një bilanc i zi. Për këtë arsye ai fshihet. Ndërkohë, Partia Demokratike ka një tjetër qasje. Ne do të shkojmë kudo dhe do t’u tregojmë qytetarëve çfarë do të bëjmë në 100 ditët e para të mandatit tonë qeverisës.

Ne e dimë mirë çfarë duhet të bëjmë për të rikthyer dinjitetin e njerëzve për të përmbushur nevojat ekonomike të pensionistëve, studentëve, dhe të gjithë atyre që punojnë për një pagë të ndershme. Ne dimë çfarë duhet bërë për shëndetësinë, arsimin, sigurinë dhe rendin publik. E dimë çfarë duhet bërë për pronat dhe për pronarët që u janë grabitur padrejtësisht dhe u duhet kthyer.

Ne dimë çfarë duhet bërë për ata që regjimi i ka përndjekur dhe që sot kërkojnë dinjitetin e tyre. Kemi detyrimin ta mbyllim këtë plagë historike. Dimë gjithashtu çfarë duhet bërë për biznesin, fermerët, peshkatarët për çdo qytetar që punon, sakrifikon dhe siguron bukën me mund dhe ndershmëri.

Më shumë para në xhepat e qytetarëve është më mirë se më shumë para për shtetin.
Ne e dimë çfarë duhet të bëjmë, sepse kemi një program realist. Kemi të gjitha mundësitë – dhe paratë e shqiptarëve janë aty, për të realizuar ndryshimin.

Në këto 9 ditë, le ta mbajmë lart pishtarin e shpresës dhe të besimit tek fitorja. Të besojmë te çdo shqiptar që pret ndryshimin. Vota më 11 Maj është votë për ju, për familjen tuaj dhe për të ardhmen e fëmijëve tuaj.
Duke votuar për familjen, kemi votuar për Atdheun.
Nëse më 11 Maj votojmë numrin 1, kthejmë ndryshimin dhe shpresën për Shqipërinë!

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button