BE propozon masa të ashpra tregtare e sanksione ndaj Izraelit për luftën në Gaza

Bashkimi Evropian ka prezantuar planin më të ashpër deri tani për t’i bërë presion Izraelit që t’i japë fund luftës në Rripin e Gazës, e cila ka hyrë në vitin e dytë. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, u ka kërkuar 27 vendeve anëtare të rrisin tarifat mbi disa mallra izraelite dhe të vendosin sanksione ndaj dhjetë drejtuesve të Hamasit, disa kolonëve izraelitë, si dhe dy ministrave të kabinetit të Benjamin Netanyahut: Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich.
Kallas tha se masat nuk synojnë ndëshkimin e popullit izraelit, por ushtrimin e trysnisë mbi qeverinë izraelite për të ndalur luftën dhe për të lehtësuar vuajtjet e civilëve në Gaza. Sanksionet do të përfshijnë ngrirje asetesh në Evropë dhe ndalim udhëtimi.
Izraeli e ka kundërshtuar ashpër propozimin. Ministri i Jashtëm, Gideon Saar, në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Izraeli “nuk do të përkulet para kërcënimeve” dhe se presioni përmes sanksioneve nuk do të funksionojë.
BE është partneri më i madh tregtar i Izraelit, prandaj tarifat mund të godasin rëndë ekonominë izraelite, tashmë të lodhur nga kostoja e luftës. Propozimi parashikon aplikimin e tarifave doganore për rreth 230 milionë euro mallra, që përbëjnë 37% të eksporteve izraelite në BE.
Përveç kësaj, Komisioni Evropian do të pezullojë menjëherë rreth 32 milionë euro fonde dypalëshe për Izraelin, ndërkohë që do të vazhdojë ta mbështesë Autoritetin Palestinez.
Ndërkohë, lufta në Gaza ka shkaktuar mbi 67.000 viktima palestineze që nga tetori 2023, sipas autoriteteve lokale. Lufta nisi pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, ku mbetën të vrarë 1.200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë.
Propozimi i BE-së pritet të diskutohet mes vendeve anëtare, por mbetet e paqartë nëse do të ketë unanimitet, pasi blloku është i ndarë për çështjen izraelite.



