BE-ja planifikon “mur dronësh” për mbrojtjen e krahut lindor

Bashkimi Evropian ka nisur punën për ngritjen e një “muri dronësh”, një sistem të avancuar për zbulimin, ndjekjen dhe neutralizimin e mjeteve ajrore pa pilot në krahun e tij lindor. Vendimi u mor nga ministrat e Mbrojtjes së BE-së në një video-konferencë të mbajtur të premten (26 shtator), siç konfirmoi Komisioneri i Industrisë së Mbrojtjes, Andrius Kubilius.
Ky projekt është pjesë e një mburoje më të gjerë sigurie, që përfshin gjithashtu sisteme tokësore, siguri detare në Detin Baltik dhe Detin e Zi, si dhe përdorimin e informacionit satelitor. Financimi pritet të sigurohet nga instrumentet e BE-së. “Mburoja mbrojtëse për krahun lindor, me murin e dronëve si thelbin e saj, do t’i sjellë dobi të gjithë Evropës”, deklaroi Kubilius.
Gjermania kërkon rregulla më të rrepta
Debati mbi kërcënimet nga dronët është shtuar edhe në Gjermani, pas incidenteve të fundit në Danimarkë dhe Norvegji. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, po kërkon rregullore të qarta që do t’i lejonin Bundeswehr-it të rrëzojë dronë në raste të caktuara, nëse këta përbëjnë rrezik për njerëzit apo infrastrukturën kritike. Vendimmarrja për përdorimin e forcës pritet t’i mbetet Ministrisë Federale të Mbrojtjes.
Ukraina gati të kontribuojë
Edhe Ukraina ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në projekt. Ministri i Mbrojtjes, Denys Shmyhal, theksoi se përvoja e vendit të tij në luftën kundër dronëve rusë mund të jetë një ndihmesë e madhe për BE-në. “Muri i dronëve do të krijojë një ekosistem të ri mbrojtës në Evropë”, tha ai.
Kjo nismë u bë edhe më urgjente pas shkeljes masive të hapësirës ajrore polake nga dronët rusë, ku avionët luftarakë të gjeneratës së fundit u detyruan të përdornin raketa të kushtueshme për të neutralizuar dronë të lirë. Incidente të ngjashme janë raportuar edhe në Rumani dhe Danimarkë, duke rritur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të Evropës.



