Sport

Barcelona mendon huazimin e Roony Bardghji-t, Galatasaray ndër të interesuarit

Roony Bardghji ka mbërritur këtë verë në “Camp Nou” si një nga talentet më premtues të futbollit europian. Vetëm 19 vjeç, sulmuesi suedez i la përshtypje të forta drejtuesve katalanas pas paraqitjeve të shkëlqyera me Kopenhagenin, por realiteti konkurrues te Barcelona pritet të jetë sfidues për të.

Nën drejtimin e Hansi Flick, vendi në formacionin titullar duket i vështirë për një futbollist kaq të ri, ndaj opsioni i huazimit është duke u marrë seriozisht në konsideratë nga klubi blaugrana. Drejtuesit sportivë të Barcelonës e shohin këtë si mënyrën më të mirë për t’i siguruar minutat e nevojshme, pa rrezikuar që progresi i tij të frenohet në stol.

Sipas mediave sportive, interesim konkret ka shfaqur Galatasaray. Klubi turk e sheh Bardghji-n si një shtesë të rëndësishme për repartin ofensiv, duke e konsideruar stilin e tij dinamik të përshtatshëm me filozofinë e skuadrës.

Megjithatë, Barcelona kërkon të ketë kontroll të plotë mbi të ardhmen e lojtarit. Në rast huazimi, katalanasit duan të përfshijnë klauzola që garantojnë minuta dhe vazhdimësi, me synimin që suedezi të rikthehet më i pjekur dhe gati për të konkurruar për një vend në ekipin e parë.

Vetë Bardghji është i ndërgjegjshëm se luajtja e rregullt është thelbësore në këtë fazë të karrierës dhe nuk e përjashton mundësinë e një aventure jashtë Spanjës, nëse kjo i garanton hapësirat që i nevojiten.

Merkatoja verore ende nuk është mbyllur dhe e ardhmja e 19-vjeçarit pritet të jetë një nga temat më të nxehta të Barcelonës në ditët në vijim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button