Klingbeil kërkon shqyrtimin e ndalimit të AfD-së në Gjermani

Zëvendëskancelari i Gjermanisë, Lars Klingbeil, më 23 gusht bëri thirrje që të shqyrtohet mundësia e ndalimit të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), duke u mbështetur në dëshmi të publikuara nga agjencitë vendëse të inteligjencës.
“Ne duhet t’i luftojmë armiqtë e demokracisë. Nëse procedurat për ndalim mund të kenë sukses, këtë duhet ta vlerësojnë gjetjet e agjencive të inteligjencës”, tha ai për Funke Media Group.
Klingbeil, i cili është edhe bashkëudhëheqës i Socialdemokratëve (SPD) në koalicionin e kancelarit Friedrich Merz, paralajmëroi se Qeveria nuk mund të qëndrojë pasive nëse një parti që shpall hapur qëndrime ekstremiste synon të minojë demokracinë gjermane.
Agjencia për Inteligjencë të Brendshme – Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës – në maj e kishte shpallur AfD-në si “grup ekstremist të krahut të djathtë”. Megjithatë, ky klasifikim u pezullua pas një ankese të partisë në Gjykatën e Apelit. Degë të ndryshme të AfD-së në nivel shtetëror ndërkohë janë kategorizuar në mënyrë të ngjashme.
SPD po kërkon krijimin e një grupi pune për të mbledhur dëshmi nëse AfD vepron kundër rendit kushtetues, por blloku konservator i Merzit mbetet skeptik, duke paralajmëruar se një proces gjyqësor i tillë mund të rrisë mbështetjen për partinë.
Sipas ligjit gjerman, një kërkesë për ndalim mund të paraqitet nga Bundestagu, Bundesrati ose Qeveria, ndërsa vendimin përfundimtar mund ta marrë vetëm Gjykata Kushtetuese Federale.