Sport

Barcelona “humb” 10 milionë euro nga Mingueza – Celta pranë rinovimit me mbrojtësin spanjoll

Barcelona nuk pritet të përfitojë asnjë të ardhur nga mbrojtësi i djathtë i Celta Vigos, Óscar Mingueza, pasi galicianët janë pranë arritjes së një marrëveshjeje të re me futbollistin.

Mingueza, i cili u transferua te Celta në verën e vitit 2022, ka bërë paraqitje mbresëlënëse në stadiumin “Balaídos” dhe është kthyer në një nga mbrojtësit më të qëndrueshëm të La Ligas. Kjo formë e lartë i siguroi edhe ftesën në kombëtaren spanjolle nën drejtimin e Luis de la Fuentet, ndërsa sezonin e kaluar u përfshi në Formacionin e Sezonit 2024/25 të përzgjedhur nga “Football España”.

Mediat spanjolle raportojnë se Celta është gjithnjë e më optimiste për rinovimin e kontratës me 26-vjeçarin, i cili ndodhet në vitin e fundit të marrëveshjes aktuale. Aston Villa është përfolur si e interesuar për të, me një vlerësim prej rreth 20 milionë euro, por deri tani nuk ka pasur ndonjë ofertë zyrtare.

Nëse Celta arrin të rinovojë me Minguezan, atëherë Barcelona humbet automatikisht përfitimin prej 50% të shumës nga shitja e ardhshme – një klauzolë që ishte përfshirë në marrëveshjen e transferimit në vitin 2022. Me fjalë të tjera, rinovimi i kontratës do të anulojë çdo mundësi për përfitim financiar për klubin katalanas.

Sipas raportimeve të “El Faro de Vigo”, të përcjella nga “Mundo Deportivo”, marrëveshja e re me Minguezan është në prag të finalizimit. Po ashtu, edhe një tjetër ish-lojtar i Barcelonës, Marcos Alonso, pritet të rinovojë me Celtën deri në vitin 2027. Megjithatë, ndryshe nga Mingueza, Alonso iu bashkua Celta-s si lojtar i lirë dhe Barça nuk përfiton asgjë nga një shitje eventuale e tij.

Kualifikimi i Celta Vigos në Europa League ka luajtur një rol kyç në ruajtjen e lojtarëve kryesorë, duke përfshirë edhe mbrojtësit. Injeksioni financiar nga UEFA ka ndihmuar ndjeshëm në rritjen e buxhetit për pagat dhe ambiciet e klubit për sezonin e ardhshëm në arenën evropiane.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button