Sport

Banderolë patriotike ndez emocione në stadiumin “Fadil Vokrri” gjatë Kosovës – Slloveni

Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovenisë, e cila përfundoi me rezultatin 0-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, nuk tërhoqi vëmendjen vetëm për lojën në fushë. Një banderolë e vendosur në tribunë u bë simbol i mbrëmjes, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm historik dhe patriotik.

Në sfondin e flamujve të Shqipërisë dhe Kosovës, mbishkrimi i saj preku zemrat e tifozëve shqiptarë:
“90 minuta futboll? Ne i mbijetuam luftës”.

Mesazhi thekson lidhjen e fortë dhe të pandashme mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe u pa si një paralajmërim simbolik për ndeshjen që do të zhvillohet sot mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Atmosfera në stadium ishte elektrizuese dhe, ndonëse ndeshja përfundoi pa gola, fitues të vërtetë dolën tifozeria dhe emocionet shqiptare.

Megjithatë, banderola nuk kaloi pa u komentuar edhe nga mediat serbe. Portali “Telegraf” e cilëson vendosjen e saj si ‘skandaloze’, duke i kushtuar artikull të veçantë me titullin:
“Terroristë të UÇK-së dhe një baner i ri skandaloz në të ashtuquajturën ndeshjes mes Kosovës dhe Sllovenisë: I mbijetuam luftës”.

Sot, emocionet do të vazhdojnë me ndeshjen Shqipëri – Serbi në Leskovc, e cila fillon në ora 20:45.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button