
Brixhida Muça, drejtoreshë e Qëndrës “Lumturo Dhimbjen”, ka reaguar ashpër në rrjetin e saj social Facebook, si nënë e një djali autik, pas deklaratës të kryeministit Edi Rama ditën e sotme në lidhje me autizmin.
Muça cilësoi në reagimin e saj se fjalët kanë peshë dhe sidomos kur dalin nga goja e një kryeministri. Reagimi i plotë:
Fjalët kanë peshë. Sidomos kur dalin nga goja e një kryeministri ( kryeshërbëtorit të popullit)
Kur përdor fjalën “autik” si ofendim, nuk je thjesht duke sulmuar politikisht (gjë që s’më intereson)– je duke i lënduar ata që kanë më shumë nevojë për mirëkuptim, e jo për përçmim.
Autizmi nuk është mangësi. Nuk është turp. Është një mënyrë tjetër e të qenit, e të ndjerit, e të parit të botës. Mënyrë që na bën ne të tjeret injorant të botës së tyre.
Dhe për çdo fëmijë e prind që lufton çdo ditë për të ndërtuar jetë me dinjitet,sepse shërbëtorët që ishin e janë nuk e kryejnë detyrën , pra nuk i shërbejnë autizmit . Dhe më keq akoma ofendojnë me këto fjalë që godasin e lëndojnë.
Kjo nuk është thjesht çështje politike. Është çështje njerëzore për të kuptuar se ku shkon ego për pushtet.
Nëse nuk kemi më ndjeshmëri për njerëzit më të brishtë në shoqëri, çfarë na ka mbetur?
Unë zgjedh të flas. Sepse heshtja do të thotë të pranoj poshtërimin nga verbëria e pushtetit nga i cili pres të më shërbej e jo poshtëroi . Pra unë nuk pranoj të hesht.
Si prind, si qytetar, si njeri – nuk mund të hesht.Në emër të djalit tim nuk do hesht….
Kur dëgjoj një kryeshërbëtor të përdorë fjalën “autik” si fyerje, ndjej dhimbje, revoltë dhe turp. Jo për veten time, por për një shoqëri që ende toleron një gjuhë që poshtëron më të ndjeshmit mes nesh.
Nuk është thjesht një “gabim retorik”. Është përçmim. Është mungesë ndjeshmërie. Është injorim i përpjekjeve të qindra familjeve që jetojnë çdo ditë me dashuri dhe sakrificë për fëmijët e tyre ndryshe.
Mos i quani “autikë” si fyerje.
Mos i quani “çyrykë” ata që nuk ju votojnë.
Mos fyeni njerëz që meritojnë më shumë nga një udhëheqës.
Kjo është kënetë. Por jo ajo që imagjinoni ju – kënetë është gjuha e urrejtjes, mendjemadhësisë dhe përbuzjes.
Dhe nga kjo kënetë, ne duhet të dalim – së bashku.
Dhe njëherë ju them
“Autik” nuk është fyerje. Është realitet i mijëra familjeve që luftojnë çdo ditë me dinjitet mes pamundësive që i kanos injorimi institucional.
Nëse një kryeshërbëtor i popullit e përdor si ofendim, Autik ,atëherë kënetë është fjala e tij – jo zgjedhja jonë.”
Nga NËNA e një djali AUTIK
Brixhida
