Lajme
Kryesore

Arrestohen dy persona pas ndjekjeje spektakolare: Qarkullonin me automjet të vjedhur, kokainë dhe armë të ftohtë

Një ndjekje spektakolare prej dy orësh në rrugët e Tiranës ka përfunduar me arrestimin e dy personave, të cilët qarkullonin me një automjet të vjedhur dhe kishin me vete lëndë narkotike dhe armë të ftohtë.

Policia e Tiranës vuri në pranga shtetasit Eneriko Zyle, 50 vjeç dhe Enis Tela, 37 vjeç, të dy banues në kryeqytet, pas një ndjekjeje që nisi pasi drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Gjatë tentativës për t’u larguar, në zonën e Babrrusë, automjeti i tyre përplasi një mjet të Policisë, duke lënë të dëmtuar lehtë dy punonjës të rendit.

Operacioni për kapjen e tyre u organizua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 4 dhe Nr. 5, pas marrjes së informacionit për një automjet të vjedhur në Elbasan.

Pas ndalimit dhe neutralizimit të të dyshuarve, Policia gjeti në automjet një sasi të dyshuar kokainë dhe një armë të ftohtë (thikë), të cilat u sekuestruan së bashku me mjetin e vjedhur.

Sipas hetimeve paraprake, dy të arrestuarit dyshohen si bashkëpunëtorë në disa vjedhje të ndodhura gjatë periudhës shkurt-prill 2025 në qytetet Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak dhe Klos.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button