Arkitekti i fitores së Trump drejton fushatën e opozitës në Shqipëri: “Ta bëjmë Shqipërinë të madhe sërish”

Chris LaCivita, strategu i fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet amerikane të vitit 2024, po drejton fushatën e opozitës shqiptare të udhëhequr nga Sali Berisha.
Në një mbrëmje në Tiranë, përpara mijëra qytetarëve, një figurë e panjohur për publikun shqiptar, por shumë e njohur në politikën amerikane, hipi në skenë dhe bëri një thirrje të njohur: “Kush është gati ta bëjë Shqipërinë të madhe sërish?”. Ai ishte Chris LaCivita – një nga arkitektët kryesorë të rikthimit politik të Donald Trump.
Gazeta prestigjioze amerikane Wall Street Journal shkruan se LaCivita është tashmë drejtuesi strategjik i fushatës elektorale të opozitës shqiptare, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Berisha kërkon rikthimin në pushtet. I sanksionuar nga SHBA-të dhe nën akuza për korrupsion, Berisha i ka mohuar të gjitha, duke i cilësuar si hakmarrje politike.
Chris LaCivita, i cili ka udhëtuar tri herë në Shqipëri dhe ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me qytetarët përmes takimeve publike dhe thirrjeve Zoom, është kthyer në një figurë të njohur në fushatën opozitare. “Ka një pjesë të elektoratit në Shqipëri që më pëlqen dhe një pjesë që nuk më pëlqen,” tha ai me humor për WSJ.
Strategjia e tij është ndërtuar mbi modelin amerikan: mesazhe të drejtpërdrejta, akuza ndaj qeverisë për inflacionin dhe rritjen e krimit, dhe krahasime të forta me ndjekjet penale të Donald Trump. “Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin të gjithë opozitën e tyre. Do të dështojnë,” deklaroi ai në një miting, teksa mijëra pjesëmarrës valëvitnin flamuj amerikanë.
LaCivita nuk zbuloi sa paguhet për këtë angazhim, por tha se është në përputhje me standardet e një fushate kombëtare dhe se pagesa do të bëhet publike nga partia pas zgjedhjeve.
Për momentin, ai është një nga njerëzit më të përfolur në prapaskenat e politikës shqiptare, duke u përpjekur të sjellë në Shqipëri një “recetë amerikane” për fitoren.