Presidenti Begaj priti Ambasadorin Zannier: Vlerësohet angazhimi i OSBE-ODIHR dhe përfshirja historike e Diasporës në zgjedhje

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin Lamberto Zannier, kryesues i misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Gjatë bisedës, u theksua rëndësia e zhvillimit të një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe në përputhje me standardet demokratike. Presidenti Begaj u njoh me gjetjet paraprake të misionit të vëzhguesve dhe përgëzoi OSBE-ODIHR-in për angazhimin e tij, si dhe për përfshirjen e organizatave të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e procesit.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu përfshirjen historike të Diasporës shqiptare në procesin zgjedhor, si një hap domethënës drejt fuqizimit të demokracisë dhe përfaqësimit gjithëpërfshirës të qytetarëve.
Takimi nënvizoi bashkëpunimin e mirë mes institucioneve shqiptare dhe organizatave ndërkombëtare për garantimin e zgjedhjeve transparente dhe legjitime.