Lajme
Kryesore

Altin Dumani raporton në KLP: Presion ndaj prokurorëve të SPAK dhe probleme me ekstradimet nga Emiratet

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka raportuar sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) mbi punën e Prokurorisë së Posaçme për vitin 2024, duke renditur një sërë problematikash që vazhdojnë të pengojnë eficiencën e institucionit.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet presioni i jashtëm ndaj prokurorëve të SPAK, si dhe mungesa e një statusi të qartë ligjor për ta pas përfundimit të mandatit.

“Problematika e parë është presioni i jashtëm ndaj institucionit dhe mungesa e një statusi të qartë ligjore të prokurorëve të SPAK pas mbarimit të mandatit,” u shpreh ai.

Gjithashtu, kreu i SPAK ngriti shqetësimin për rënien e ndjeshme të numrit të referimeve nga institucionet publike, një element që sipas tij ndikon negativisht në funksionimin e drejtësisë penale.

Një tjetër çështje që mbetet e paadresuar është mungesa e ushtrimit të kompetencës për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja, si dhe refuzimi i vazhdueshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe për të ekstraduar shtetas shqiptarë që kërkohen nga drejtësia.

“Mosekstradimi i shqiptarëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe është një problem serioz, veçanërisht në kushtet kur numri i personave që kërkohet të ekstradohen nga atje është në rritje,” deklaroi Dumani.

Raporti i tij ngre shqetësime serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërinstitucional brenda dhe jashtë vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button