A do të jetë Islanda shteti i radhës që i bashkohet BE-së?

Në listën e vendeve që shihen si kandidatët më të mundshëm për t’u bërë anëtarët e radhës të Bashkimit Evropian, një emër po del në pah në mënyrë të papritur: Islanda. Megjithëse Mali i Zi konsiderohet lider në procesin e negociatave dhe Shqipëria po ecën me ritme të shpejta, ndërsa Moldavia shfaqet si një vend reformues dhe ambicioz, Islanda duket se po rikthehet fuqishëm në lojë.
Qeveria aktuale e Islandës ka paralajmëruar një referendum deri në vitin 2027 për të vendosur nëse vendi do të rinisë bisedimet për anëtarësim në BE. Sondazhet fillestare tregojnë se shumica e qytetarëve do të mbështesnin një hap të tillë.
Islanda ka qenë më parë në këtë rrugë. Pas krizës së rëndë financiare në vitin 2008, kur tri banka të mëdha falimentuan, vendi nisi negociatat për anëtarësim në BE më 2010. Gjatë tri viteve të mëvonshme, Reikjaviku hapi shumicën e 33 kapitujve negociues dhe mbylli 11 prej tyre. Megjithatë, me ardhjen në pushtet të një qeverie të krahut të djathtë më 2013, bisedimet u pezulluan.
Sot, BE-ja e konsideron procesin e anëtarësimit të Islandës ende të vlefshëm. Kjo për faktin se Islanda është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE), dhe tashmë zbaton shumicën e rregullave të tregut të brendshëm evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite të fundit në Islandë, deklaroi se anëtarësimi është një “vendim sovran që e marrin njerëzit këtu”, por theksoi marrëdhëniet e ngushta, vlerat e përbashkëta dhe integrimin e thellë të këtij vendi me BE-në.
Për BE-në, anëtarësimi i një shteti perëndimor si Islanda – pas daljes së Britanisë së Madhe – do të ishte simbolik dhe politikisht i rëndësishëm. “Do të tregonte se klubi është ende atraktiv”, tha një diplomat evropian.
Megjithatë, pengesat nuk mungojnë. Tregtia, bujqësia dhe peshkimi janë fushat më të ndjeshme. Islanda ka frikë se anëtarësimi në politikën e përbashkët bujqësore të BE-së mund të dëmtojë fermerët vendas, ndërsa në fushën e peshkimit, Reikjaviku nuk dëshiron të heqë dorë nga të drejtat e veta ekskluzive në ujërat e veta territoriale.
Një tjetër çështje delikate është gjuetia komerciale e balenave, që ende lejohet në Islandë dhe përballet me presione të ashpra nga BE-ja dhe organizatat ndërkombëtare.
Islanda është vendi i vetëm anëtar i NATO-s pa ushtri, i mbështetur në një marrëveshje sigurie me SHBA-në që daton nga viti 1951. Megjithatë, tensionet në rritje mes SHBA-së dhe BE-së, përfshirë çështjen e Grenlandës dhe një luftë të mundshme tregtare, po e shtyjnë Islandën të mendojë për ripozicionim strategjik.
Në këtë sfond, partneriteti i ri BE-Islandë për sigurinë dhe infrastrukturën kritike, përfshirë kabllot nënujore dhe mbrojtjen nga kërcënimet kibernetike, tregon një afrim konkret mes dy palëve.
Në fund, vendimi për anëtarësim mbetet në duart e qytetarëve islandezë. Referendumi që pritet të mbahet brenda dy viteve të ardhshme do të përcaktojë nëse ky vend i vogël e i pasur do të bëhet anëtari më i ri i Bashkimit Evropian./REL/