Sport

Milan kërkon përforcime: Zachary Athekame dhe Hojlund në radarin e “Rossonerëve”

Pas përfundimit të turneut para-sezonal në Azi, drejtuesit e Milanit kanë intensifikuar përpjekjet për të përforcuar skuadrën para fillimit të sezonit të ri. Sipas La Gazzetta dello Sport, klubi është duke shqyrtuar alternativa konkrete për të mbuluar boshllëqet në mesfushë, mbrojtje dhe sulm.

Në krahun e djathtë të mbrojtjes, Guéla Doué mbetet prioriteti kryesor i klubit, por kërkesa prej 30 milionë eurosh nga Strasburgu e ka bërë operacionin të vështirë. Si alternativë më e përballueshme është shfaqur Zachary Athekame nga Young Boys, i cili vlerësohet për karakteristikat e tij të ngjashme dhe çmimin më të ulët.

Ndërkohë, Ardon Jashari vazhdon të jetë objektivi parësor për përforcimin e mesfushës qendrore. Milan kërkon një profil të balancuar në këtë repart dhe beson se lojtari me origjinë shqiptare mund të jetë zgjidhja ideale.

Në fazën ofensive, ku kërkohet një qendërsulmues i ri, emra si Dusan Vlahovic dhe Gonçalo Ramos janë ende në listë, por së fundmi është futur në diskutim edhe Rasmus Hojlund i Manchester United. Edhe pse sulmuesi danez ka shprehur dëshirën për të qëndruar në “Old Trafford” për sezonin 2025-26, “Djajtë e Kuq” janë të hapur për një marrëveshje huazimi fillestar, çka i jep Milanit një mundësi reale për të negociuar.

“Rossonerët” kanë pak kohë në dispozicion për të finalizuar marrëveshjet dhe për t’u paraqitur në mënyrën më të mirë në nisjen e sezonit të ri, me një sy nga ambiciet në Serie A dhe në Europë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button