Lajme

Turizmi tejkalon nivelet para pandemisë: Sektor kyç me 26.4% të PBB-së në vitin 2025

Sektori i udhëtimeve dhe turizmit në Shqipëri po përjeton një bum historik, duke tejkaluar ndjeshëm nivelet e para pandemisë dhe duke u shndërruar në një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit.

Sipas raportit më të fundit të World Travel & Tourism Council (WTTC), gjatë vitit 2025, turizmi pritet të kontribuojë me rreth 685.3 miliardë lekë (rreth 7.3 miliardë dollarë amerikanë) në ekonominë shqiptare, duke shënuar një rritje prej 52.8% krahasuar me vitin 2019.

Aktualisht, ky sektor zë 26.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 20.6% që ishte pesha përpara pandemisë. Rritja e turizmit është shumë më e shpejtë sesa e ekonomisë në tërësi, e cila është zgjeruar me vetëm 3.6% në të njëjtën periudhë.

“Shqipëria po konsolidohet si një nga destinacionet më tërheqëse turistike në Europë, me mbi 80% të shpenzimeve që vijnë nga turistët e huaj dhe mbi 90% të udhëtimeve që realizohen për pushime e relaksim,” theksohet në raportin e WTTC.

Megjithatë, ndikimi në tregun e punës nuk është proporcional me rritjen ekonomike të sektorit. Në vitin 2019, turizmi dhe udhëtimet kontribuuan me 250.8 mijë vende pune (19.9% e totalit), ndërsa në vitin 2024, ky numër është rritur në 269.2 mijë. Pritshmëritë për vitin 2025 flasin për 274 mijë vende pune, ose 21% të totalit.

Pavarësisht rritjes së fortë aktuale, WTTC parashikon një ngadalësim të kontributit të turizmit në raport me madhësinë e ekonomisë gjatë dekadës së ardhshme. Në vitin 2035, sektori pritet të përfaqësojë 23.9% të PBB-së, me një vlerë prej 8.6 miliardë dollarësh dhe 304 mijë vende pune (26% e totalit).

Ndryshe nga INSTAT, i cili e raporton vetëm një pjesë të sektorit përmes të dhënave për “akomodimin dhe shërbimin ushqimor” (rreth 4% e PBB-së deri në fund të vitit 2023), WTTC është institucioni i vetëm që ofron një vlerësim të plotë për ndikimin e turizmit në ekonominë shqiptare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button