BE përgatit paketë të re ndihme për Ukrainën – Sanksione të reja ndaj Rusisë

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi sot se po shqyrtohet një paketë e re për mbështetjen e Ukrainës, si dhe sanksione të reja ndaj Rusisë, e cila, sipas saj, “nuk dëshiron paqe”.
“Faktikisht kemi një paketë aktuale dhe po mendojmë edhe për një tjetër. Kemi vendosur sanksione për sektorin e energjisë dhe kemi paraqitur një udhërrëfyes javën e kaluar, së bashku me paketën e sanksioneve. Është thelbësore të shkurtojmë financimin për Rusinë. Duhet të jemi të bashkuar, sepse e shohim qartë se Rusia nuk dëshiron paqe”, u shpreh Kallas në prag të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian, që po mbahet sot në Tiranë nën moton “Europa e re në një botë të re”.
E pyetur për bisedimet që po zhvillohen në Turqi, Kallas vlerësoi përpjekjet diplomatike: “Mendoj se është një propozim shumë i mirë”.
Samiti në Tiranë pritet të sjellë në vëmendje sfidat gjeopolitike të kontinentit, përfshirë luftën në Ukrainë dhe rolin e BE-së në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Europë.