
Përfaqësuesit e PD në Komisionin Rregullator të KQZ kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje më atë çfarë ndodhi në Vorë, ku opozita akuzon se “edhe bandat janë pajisur me bexhe nga ana e KQZ”.
Dy përfaqësuesit e PD, thanë se ajo që ndodhi në Vorë është e patolerueshme dhe një papërgjegjshmëri e KQZ.
Sipas tyre me atë që ndodhi në Vorë u dëshmua se procesi është i patronazhuar dhe i kriminalizuar.
“Dua ta nis diskutimin me ngjarjen e rëndë të Vorës. Është e pa tolerueshme që ngjarje të tilla ndodhin edhe me bekimin e KQZ në zgjedhjet e 2025. Unë kam patur shumë kërkesa për tu pajisur me karta vëzhguesi. Shumë persona që nuk kanë lidhje me zgjedhjet, aq më tepër staf i KQZ të rrinë brenda qendrave të votimit. Kjo është papërgjegjshmëri që buron nga KQZ”, tha anëtari i PD, Muharrem Çakaj.
“Ajo që ndodhi në Vorë është jashtëzakonisht e rëndë, dëshmon mbulljen e syve të KQZ, e cila duhet të ishte e shqetësuar dhe aktive. Unë do të doja të falënderoja rolin e medias për shkak të pamjeve filmike, përmes të cilave dëshmon se ky proces mbetet jo i lirë, i patronazhuar dhe i kriminalizuar”, tha anëtarja e PD Helga Vukaj.