Sport

Dani Alves përballet sërish me drejtësinë në Spanjë: Prokuroria apelon vendimin e pafajësisë

Ish-futbollisti i Barcelonës dhe i kombëtares së Brazilit, Dani Alves, do të përballet përsëri me drejtësinë, pasi Prokuroria spanjolle ka paraqitur një apel kundër vendimit të pafajësisë së dhënë nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Katalonjës (TSJC).

Një zëdhënës i Prokurorisë konfirmoi të mërkurën se apeli është dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Spanjës (Tribunal Supremo) në Madrid. Në fund të marsit, TSJC kishte anuluar dënimin me katër vjet e gjysmë burg të shqiptuar në shkurt 2024 ndaj Alves për akuzën e sulmit seksual ndaj një gruaje në një klub nate në Barcelonë në dhjetor 2022.

Gjykata katalanase e justifikoi vendimin e saj me boshllëqe dhe pasaktësi në provat e paraqitura, të cilat sipas saj kishin ulur besueshmërinë e çështjes. Por Prokuroria akuzon TSJC-në për një interpretim të njëanshëm dhe arbitrar të një testi biologjik, duke e kritikuar gjykatën për “dënim moral” të viktimës përmes vënies në dyshim të kredibilitetit të saj.

Alves, 42 vjeç, kishte kaluar 14 muaj në paraburgim dhe u lirua me kusht në mars 2024, ndërsa pritej vendimi për apelimin e çështjes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button