Sport

Bournemouth-i i ‘bën gjëmën’ Arsenalit, ‘Topçinjtë tani rrezikojnë top-5-shen

Arsenali pësoi një humbje të papritur 2-1 ndaj Bournemouth-it në “Emirates”, duke marrë një goditje të rëndë në përpjekjet për të mbyllur sezonin në vendin e dytë të Premier League. Kjo ishte fitorja e parë në histori e Bournemouth-it në fushën e Arsenalit dhe njëkohësisht e dyta rresht sezonale ndaj tyre.

Arsenal – Bournemouth 1-2
Në një ndeshje ku pritej që mendja e “Topçinjve” të ishte pjesërisht te gjysmëfinalja e kthimit në Champions kundër PSG-së, Mikel Arteta gjithsesi hodhi në fushë një formacion të fortë. Declan Rice, në paraqitjen e tij të 100-të me fanellën e Arsenalit, shënoi golin e epërsisë në pjesën e parë pas një asisti të bukur nga Ødegaard dhe një finte ndaj portierit Kepa. Megjithatë, mbrojtja e Arsenalit nuk ishte aspak e sigurt dhe rrezikuan disa herë nga kundërsulmet e Bournemouth-it.

Në pjesën e dytë, pavarësisht presionit të Arsenalit dhe përpjekjeve të Saka-së, ishte Antoine Semenyo që sapo hyri në lojë dhe asistoi me një anësore për Dean Huijsen, i cili barazoi rezultatin me një goditje me kokë. Më pas, Evanilson realizoi golin e fitores pas një devijimi në këndore, megjithëse VAR-i verifikoi gjatë për një prekje të mundshme me dorë, goli u konsiderua i rregullt.

Kjo humbje i detyron “Topçinjtë” të kthejnë vëmendjen te ndeshjet e mbetura në kampionat për të siguruar një vend në top-pesëshe, ndërsa Bournemouth-i ngjitet në vendin e tetë, duke ëndërruar një kualifikim historik në Europë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button