Belind Këlliçi denoncon gjendjen në Kasallë: “Pasaporta shqiptare e 2025-ës, fëmijët mes plehrave e mjerimit”

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka publikuar një mesazh të fortë në rrjetet sociale, duke denoncuar gjendjen e rëndë të infrastrukturës dhe kushteve sociale në zonën e Kasallës.
Në postimin e tij, Këlliçi shprehet se fëmijët në këtë zonë detyrohen të mësojnë në kushte skandaloze, përballë mungesës së rrugëve dhe një ambulance të rrënuar. Ai e cilëson këtë realitet si “pasaporta shqiptare e vitit 2025”, ku bashkë me librat e shkollës, fëmijët përballen edhe me ndotjen dhe mungesën e shërbimeve bazë.
“Fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe Arben Malokut. Kjo është gjendja në Kasallë, ngjitur me shkollën. Bashkë me mësimet e matematikës apo gjuhë-leximit, nxënësit duhet të marrin edhe helmet e plehrave”, shkruan Këlliçi.
Ai akuzon qeverinë për neglizhencë të thellë ndaj qytetarëve dhe i bën thirrje popullit që të reagojë përmes votës në datën 11 maj, për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.
“Ka një zgjidhje për t’i dhënë fund kësaj batërdie. Më 11 maj, të ndëshkojmë Edi Ramën me votë dhe të sjellim ndryshimin!”, përfundon mesazhin e tij Këlliçi.