Lajme

Shpopullimi dhe infrastruktura skandaloze në Portëz, PD dëgjon shqetësimet e banorëve

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Fierit ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Portëz, në njësinë administrative me të njëjtin emër, ku janë ngritur shqetësime serioze për gjendjen e rëndë ekonomike dhe mungesën e infrastrukturës bazë.

Banorët e zonës, të zhgënjyer thellë me qeverinë, kanë theksuar se fshatrat e tyre po përjetojnë një shpopullim të frikshëm. Ata jetojnë në kushte të papranueshme, me ujërat e zeza që kalojnë nëpër rrugë e përpara shtëpive dhe me një infrastrukturë që sipas tyre “ngjan me atë të mesjetës”.

Në takim ishte i pranishëm edhe kandidati i PD-së, Gentian Koçi, i cili dëgjoi nga afër hallet e banorëve. “Armiku më i madh për ta mbetet papunësia”, u tha gjatë diskutimeve, ndërsa kërkesa kryesore ishte ndërtimi i kushteve që mundësojnë kthimin e të rinjve në zonë dhe krijimin e mundësive për punësim.

Përfaqësuesit e PD-së premtuan se ndërtimi i infrastrukturës dhe rikthimi i jetës në fshatra do të jenë ndër prioritetet kryesore të forcës së tyre politike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button