
Rreth 15 familje ne lagjen “Ferëm Partizani” në qytetin e Kuçovës ndihen të rrezikuar pasi pallati i tyre rrezikon të shembet. Banorët thonë se kolonat e pallatit kanë pësuar çarje ndërsa luten të mos ketë një tërmet në këtë zonë pasi do të ishte fatale për ata. Edhe pse janë ankuar në bashki vazhdimisht, banorët thonë se nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Pallati nr.2 në lagjen “Ferëm Partizani” në qytetin e Kuçovës rrezikon shembjen. Kolonat e këtij pallati kanë pësuar çarje, muret janë plasaritur dhe tavanet kanë lëvizur duke krijuar bark. 15 familjet e këtij pallati 5-katësh ndihen të rrezikuar çdo ditë, për shkak të dëmtimeve serioze që ka pësuar ky objekt, i ndërtuar 45 vite më parë. Banorët thonë se janë ankuar në bashki por vetëm i kanë mashtruar dhe nuk kanë marrë asnjë masë.
Banoret thonë se janë në mëshirë të fatit pasi institucionet i kanë braktisur, ndërsa apelojnë për ndihmë për rikonstruksionin e kësaj godine.
Banorët vuajnë edhe mungesën e investimit në lagje si ndriçimi dhe pastrimi duke theksuar se janë taksapagues të rregullt.