Tedi Blushi: Shqipëria në krizë të thellë – më 11 maj, votoni për ndryshimin me PD–ASHM

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka lëshuar një deklaratë të fortë politike, ku ka denoncuar gjendjen e rënduar ekonomike dhe sociale që, sipas tij, ka përfshirë vendin nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Blushit, Shqipëria është sot vendi më i varfër në rajon dhe në Europë, me paga dhe pensione minimale, ndërsa kostoja e jetesës është ndër më të lartat. Ai u shpreh se çmimet e ushqimeve bazë janë rritur ndjeshëm, duke rënduar jetën e përditshme të qytetarëve.
“INSTAT-i raporton se vetëm në mars 2025, ushqimet janë shtrenjtuar me 3%, ndërsa produktet bazike si qumështi, vezët dhe djathi me deri në 4.6%,” tha Blushi. Ai e cilësoi këtë një “goditje të drejtpërdrejtë për familjet shqiptare”, veçanërisht për shtresat në nevojë, pensionistët dhe të rinjtë.
Në deklaratën e tij, Blushi akuzoi qeverinë e Ramës për lidhje të ngushta me oligarkët dhe shpërfillje të problemeve reale të qytetarëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për numrin 1 në fletën e votimit – Partinë Demokratike dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore – si mënyra e vetme për të ndalur atë që e cilësoi si “mjerim kombëtar”.
Blushi prezantoi një plan konkret që premton zhdukjen e varfërisë ekstreme brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së re, përmes një minimumi jetik prej 200 euro për çdo qytetar në nevojë. Ai premtoi gjithashtu:
Rritje të pensioneve me 20%
Rrogë minimale prej 500 euro brenda tre muajve
Rrogë mesatare prej 1200 euro
Rimbursim të TVSH-së për ushqimet, energjinë dhe ilaçet për qytetarët me të ardhura të ulëta
Ulje të çmimit të energjisë në 7 lekë/kWh dhe të naftës me 35-40%
Falje të gjobave të energjisë dhe ujit për pensionistët
Mbështetje të plotë për personat me aftësi të kufizuara, përfshirë kujdestari të paguar dhe pajisje ndihmëse
Në përmbyllje, Blushi e quajti 11 majin si ditën e vendimit të madh për të “larguar arkitektin e varfërisë dhe për të ndërtuar Shqipërinë e mundësive reale”.