Shqipëria shpall 26 prillin Ditë Zie Kombëtare në nder të Papa Françeskut

Qeveria shqiptare ka shpallur të shtunën, më 26 prill 2025, Ditë Zie Kombëtare në nder të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare, pas një sëmundjeje.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se kjo ditë zie shpallet “në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku”, duke theksuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm për paqen, dialogun ndërfetar dhe mbështetjen ndaj popujve në nevojë.
Ceremonia e lamtumirës së fundit për Papa Françeskun do të mbahet po atë ditë, më 26 prill.
Sipas vendimit, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë. Gjithashtu, të gjitha stacionet radiotelevizive, si publike ashtu edhe private, ftohen të transmetojnë muzikë funebër gjatë kësaj dite.
“Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi”, përfundon vendimi që hyn në fuqi menjëherë.
Papa Françesku, emri i lindjes Jorge Mario Bergoglio, ishte Papa i parë jezuit dhe i pari nga Amerika Latine, i njohur për thjeshtësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe mbrojtjen e mjedisit.