Skandal në Elbasan – FRPD denoncon përfshirjen e detyruar të nxënësve dhe mësuesve në aktivitetet politike të Ramës

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike dhe kryetari i Forumit Rinor të PD-së (FRPD), Besart Xhaferri, ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të fundit në Elbasan, ku mësues dhe nxënës janë detyruar të marrin pjesë në takimet elektorale të kryeministrit Edi Rama.
Xhaferri e cilësoi këtë një skandal të papranueshëm dhe një formë të pastër dhune institucionale ndaj sistemit arsimor dhe të drejtave të qytetarëve. Ai akuzoi direkt mazhorancën për abuzim me procesin edukativ dhe kërkoi një ndërhyrje të menjëhershme nga SPAK dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
“Teksa Task Forca e SPAK merret me konferenca në kullat e Tiranës, Manuali 184 nuk po zbatohet në zonat më të thella, por në mes të qyteteve. Në Elbasan, arsimtarët dhe nxënësit po nxirren me dhunë nga mësimi me urdhër të Maznikut të 5D, për të marrë pjesë në takimet e Edi Ramës, ku me siguri do t’u kërkojë të kërkojnë në rrjet për fotot e tij nudo,” deklaroi me ironi Xhaferri në reagimin e tij.
Ai paralajmëroi se nëse institucionet përgjegjëse nuk ndërhyjnë, qytetarët do të ndihen të detyruar të mbrojnë vetë votën dhe fëmijët e tyre.
FRPD kërkon hetim urgjent për këtë çështje, duke e konsideruar të rrezikshëm precedentë të tillë, që sipas tyre shkelin çdo standard demokratik dhe etik në një fushatë zgjedhore.