Gjin Gjoni: Rama ka përjashtuar veriun nga qeverisja, vetëm kanabis dhe mungesë investimesh për këto treva

Kandidati demokrat në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për diskriminim të hapur ndaj veriut të Shqipërisë gjatë 12 viteve të qeverisjes së tij. Në një reagim në rrjetet sociale, Gjoni shprehet se asnjë ligjvënës nga katër qarqet veriore nuk është përfshirë në kabinetin qeveritar, duke theksuar se ky përjashtim është i qëllimshëm dhe pjesë e një politike të trashëguar nga e kaluara komuniste.
“Përfaqësimi rajonal dhe fetar ka qenë gjithmonë një traditë në shtetin shqiptar, por kjo nuk është respektuar as nga Enver Hoxha gjatë diktaturës dhe as nga Edi Rama nga viti 2013 e deri më sot,” deklaroi Gjoni.
Ai shton se veriu është lënë në harresë totale, me mungesë investimesh në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik, ndërsa për qeverinë kanë qenë prioritare “dy trarë”: kanabisi dhe fasadat.
“Segmentet jetike si Milot-Rrëshen dhe Milot-Balldre janë lënë rrugëve, ndërsa Shëngjini, zemra turistike e veriut, vijon të jetë i izoluar për shkak të infrastrukturës së amortizuar,” vijon ai.
Gjoni ka kritikuar edhe mungesën e përfaqësimit të komunitetit katolik në instancat e larta shtetërore, duke përmendur se nuk ka asnjë përfaqësues nga ky komunitet në kabinetin qeveritar, parlament apo presidencë.
“Emrat si Gjin, Gjon, Mark, Fran, Frrok, Ndoc nuk janë të përfaqësuar, dhe kjo nuk është rastësi, por një përçmim i qëllimshëm,” thekson Gjoni.
Duke folur për të ardhmen, kandidati i PD-së premton se pas 11 majit diskriminimi ndaj veriut do të marrë fund dhe do të nisë një epokë e re e barazisë rajonale.