Lajme

Sali Berisha nderon Papa Françeskun: “Një Papë i madh i paqes dhe mik i shquar i shqiptarëve”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot homazhe pranë Nunciaturës Apostolike në Tiranë (Ambasada e Vatikanit), për të nderuar jetën dhe veprën e Papa Françeskut, i cili është ndarë nga jeta. Në shenjë respekti, Berisha la një mesazh në Librin e Ngushëllimeve, duke shprehur ngushëllimet më të ndjera në emër të PD.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi Papa Françeskun si “një Papë të madh të paqes” dhe një mik të veçantë të kombit shqiptar. Ai solli në kujtesë vizitën historike të Atit të Shenjtë në Shqipëri, ku ai lumnoi 38 martirë të kishës shqiptare që u sakrifikuan gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Papa Françesku ishte një mik i shquar i kombit shqiptar. Shqipëria ishte ndër vendet e para që ai vizitoi pas marrjes së detyrës. Vizita e tij ishte një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë qytetërimin perëndimor,” u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri tregoi se kishte pasur fatin ta takonte Papa Françeskun në ditën e inaugurimit të tij, ku edhe e kishte ftuar për të vizituar Shqipërinë, një ftesë që Ati i Shenjtë e kishte pritur me interes dhe konsideratë të veçantë.

“Historia e kishës shqiptare dhe aleanca e shqiptarëve me Vatikanin e bënin këtë vizitë të natyrshme. Lumturimi i martirëve tanë ishte një akt madhor që i dha lavdi Shqipërisë dhe fesë së saj të persekutuar,” theksoi ai.

Në fund të mesazhit të tij, Berisha shprehu urimin për përjetësinë e shpirtit të Papa Françeskut, duke theksuar edhe një herë respektin dhe mirënjohjen e thellë që shqiptarët ndajnë për figurën e tij.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button