Lajme

Arrestohet 23-vjeçari në Tiranë: Kapet me armë zjarri që dyshohet se do ta shiste

Një 23-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi u kap në flagrancë duke transportuar një armë zjarri me municion, që dyshohet se do ta shiste. I riu, i identifikuar si Armand Deda, banues në Tiranë, u arrestua në rrugën “Demir Progni”, në zonën e Don Boskos, gjatë një operacioni të koduar “Gracka”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arma e zjarrit – një pistoletë me municion luftarak – ishte fshehur në një kuti të zezë në formë zemre brenda automjetit Range Rover me të cilin po udhëtonte i dyshuari.

Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë momentin e arrestimit të të riut, i cili shihet i shtrirë përtokë dhe me pranga në duar.

Operacioni “Gracka” u zhvillua nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, si pjesë e aksioneve të njëpasnjëshme për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe forcimin e rendit publik.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button