Lajme

Brunilda Haxhiu: Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka një program konkret për paga dinjitoze, arsim cilësor dhe mbështetje për bizneset

Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, znj. Brunilda Haxhiu, ka paraqitur sot për mediat prioritetet kryesore të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, duke vënë theksin te përmirësimi i kushteve ekonomike dhe sociale për qytetarët shqiptarë.

Në një kohë kur Shqipëria përballet me paga të ulëta dhe kosto të larta jetese, Haxhiu theksoi se Aleanca synon rritjen e pagës mesatare në 1200 euro, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet dhe të mos largohen nga vendi.

“Ndihma ekonomike për personat me aftësi të kufizuara, subvencionet për fermerët dhe orientimi drejt kulturave bujqësore fitimprurëse janë në qendër të programit tonë,” deklaroi Haxhiu. Ajo shtoi se arsimi dhe kultura do të marrin një vëmendje të veçantë, duke rritur buxhetin për arsimin nga 2.3% në 5% të PBB-së. Kjo përkthehet në rritje pagash: 1300 euro për mësuesit dhe 2000 euro për pedagogët, si dhe 10-fishim të buxhetit për kërkimin shkencor.

Haxhiu theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes për bizneset, me politika të qarta për fuqizimin ekonomik të grave dhe integrimin e emigrantëve që duan të investojnë në Shqipëri. Masat e propozuara përfshijnë:

Aplikim të taksës së sheshtë 10%

Heqje të tatimit për bizneset e emigrantëve për 5 vitet e para

Lehtësira fiskale për gratë sipërmarrëse

Subvencione 6-mujore të sigurimeve për gratë dhe stafin e tyre

Kredi të buta nga Banka e Zhvillimit dhe fonde të dedikuara për bizneset e grave

“Ne nuk bëjmë propagandë për barazi, ne e financojmë atë,” u shpreh Haxhiu, duke theksuar se Aleanca nuk i përdor gratë si fasadë, por i mbështet me politika konkrete.

Në fund të fjalës së saj, ajo ftoi të gjithë qytetarët që të angazhohen dhe të votojnë masivisht më 11 maj për Aleancën për Shqipërinë Madhështore, duke theksuar se “vota ka vlerë dhe sjell ndryshimin”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button