KryesoreLajme

KQZ: 245,650 fletë votimi të dërguara për shtetasit shqiptarë jashtë vendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri më tani janë dërguar gjithsej 245,650 zarfe me fletë votimi për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, 58,128 zarfe janë marrë tashmë nga votuesit në diasporë, ndërsa 8,401 prej tyre kanë mbërritur në selinë e KQZ-së në Shqipëri. Fletët e votimit janë dërguar për shtetas shqiptarë nga 12 qarqe të ndryshme të vendit, që aktualisht jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Qarku i Tiranës mban numrin më të lartë të fletëve të shpërndara me 51,520 zarfe, i ndjekur nga Fieri me 31,752, Elbasani me 25,022, Durrësi me 24,872 dhe më tej qarqe të tjera.

Në ndarjen sipas vendeve pritëse, më së shumti zarfe janë dërguar në:

Itali: 89,723

Greqi: 67,165

Gjermani: 25,062

Shtetet e Bashkuara të Amerikës: 20,274

Mbretëria e Bashkuar: 16,913

Votuesit në diasporë kanë afat që ta plotësojnë dhe ta rikthejnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të majit. KQZ njofton se çdo votë që mbërrin pas datës 11 maj, ora 19:00, nuk do të merret në konsideratë dhe do të konsiderohet e pavlefshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button