Presidenti Begaj uron besimtarët për Pashkë: “Dita e Ngjalljes është dritë, shpresë dhe dashuri”

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, me rastin e festës së Pashkës, ku përcolli urimet e tij për të gjithë besimtarët e krishterë.
“Ngjallja e Krishtit është një ditë e shenjtë, është dritë, shpresë, besim dhe gëzim,” u shpreh Kreu i Shtetit, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të nxitur dashuri dhe mirëkuptim mes njerëzve. “Uroj të gjithë besimtarët për shumë gëzim, begati e paqe në këto Pashkë të gëzuara,” shtoi ai.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj pati edhe një mesazh të veçantë për të rinjtë shqiptarë, duke shprehur dëshirën për një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur për ta, këtu, në vendin e tyre.
Në kremtim ishte i pranishëm edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, i cili uroi: “Dita e Pashkës është ditë gëzimi. Le të shpresojmë që Pashka të sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë.”