Kapet me 12 kg marijuanë në Itali një shtetas shqiptar dhe e dashura italiane

Një kontroll i zakonshëm policor në autostradën A1 “Autostrada del Sole” është shndërruar në një operacion të suksesshëm antidrogë, pas zbulimit të 12 kilogramëve marijuanë në një automjet të drejtuar nga një shtetas shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e shërbimit Badia al Pino Ovest, ku një patrullë e policisë rrugore të Arezzo-Battifolle ndaloi për inspektim një Citroen C3 të dëmtuar që udhëtonte në drejtim të jugut. Në automjet ndodheshin një 35-vjeçar shqiptar, me leje të rregullt qëndrimi në Itali, si dhe e dashura e tij italiane, 23 vjeçe.
Sipas raportimeve, çifti pretendoi se ishte nisur për pushime, por sjellja e tyre e nervozuar ngriti dyshimet e oficerëve, të cilët vendosën të kryejnë një kontroll të detajuar. Gjatë verifikimit të bagazhit, ata zbuluan një karrocë të madhe udhëtimi që lëshonte një erë të fortë karakteristike të lëndës narkotike.
Brenda saj u gjetën 12 pako plastike të mbyllura me vakum, që përmbanin gjithsej 12 kilogramë marijuanë. Sasia e sekuestruar vlerësohet të ketë një çmim prej rreth 120 mijë euro në tregun e rrugës.
Të dy të rinjtë rezultojnë të kenë precedentë penalë dhe menjëherë janë arrestuar nga autoritetet italiane. Ata janë dërguar përkatësisht në burgjet e Arezzos dhe Firences.
Ndërkohë, prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Siç parashikon ligji, të dy të dyshuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.