Lajme

Punëtor humb jetën në kantierin e aeroportit në Vlorë, arrestohet administratori i kompanisë ndërtuese

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në kantierin e ndërtimit të aeroportit në Vlorë, ku një punëtor ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga një lartësi e konsiderueshme. Viktima është identifikuar si shtetasi D. H., 38 vjeç, punonjës i një kompanie ndërtimi që po angazhohet në ndërtimin e këtij projekti madhor.

Pas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, është arrestuar në flagrancë administratori i kompanisë ndërtuese, shtetasi D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, është nisur procedimi penal edhe ndaj shtetasit U. S., 41 vjeç, po nga Tirana, i cili mbante funksionin e përgjegjësit të punimeve në kantier. Sipas njoftimit të Policisë, të dy këta persona dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për masat e sigurisë në punë, duke sjellë si pasojë vdekjen tragjike të punëtorit.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button