Klevis Balliu: Rinia do të jetë prioritet absolut pas 11 Majit

Kandidati për deputet i Koalicionit për Shqipërinë Madhështore, Klevis Balliu, ka deklaruar se të rinjtë do të jenë në qendër të vëmendjes së politikave të tij pas datës 11 Maj. Në një postim në Facebook, ai akuzon qeverinë aktuale për braktisjen e rinisë, ndërsa premton masa konkrete për të frenuar largimin e tyre nga vendi.
Sipas Balliut, prioritet do të kenë politikat që i japin mundësi të rinjve të ndërtojnë një të ardhme brenda vendit. Ai premton:
Përjashtim nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të rinjtë nën 30 vjeç për 12 muajt e parë të punësimit.
Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat për të rinjtë deri në moshën 25 vjeç.
Stimuj financiarë për të rinjtë nën 35 vjeç që investojnë në start-up-e, veçanërisht në fushën e inovacionit blu dhe energjisë së gjelbër.
Mbështetje për arsimin profesional, veçanërisht në teknologjinë e informacionit dhe inovacion.
Financim nga 5 deri në 30 mijë euro për 50 studentët më të mirë për të hapur biznese.
Pagesa e interesit të kredisë për dy vite për 50 studentë të tjerë që ndërmarrin sipërmarrje.
“Rinia nuk do të largohet më. Ajo do të jetë prioritet absolut për ne”, shkruan Balliu.