Gjykata Kushtetuese në Hagë hedh poshtë ankesën e Salih Mustafës për shkelje të të drejtave të tij

Paneli i Gjykatës Kushtetuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka refuzuar ankesën e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij gjatë gjykimit. Sipas vendimit të publikuar të enjten, nuk është gjetur asnjë shkelje e Kushtetutës së Kosovës apo e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Dhoma e Gjykatës Kushtetuese shpalli të papranueshme një pjesë të ankesave të Mustafës, ndërsa pjesën tjetër e rrëzoi, duke konstatuar se nuk kishte gabime faktike apo ligjore që do të vinin në pikëpyetje verdiktin e dhomave penale.
Mustafa, i cili po vuan një dënim prej 15 vjetësh burgim në Hagë për krime lufte dhe vrasje të paligjshme gjatë vitit 1999 në Kosovë, kishte pretenduar se i ishte mohuar e drejta për një gjykim të drejtë për shkak të mungesës së arsyetimit nga trupi gjykues dhe paneli i Apelit për dënimin e tij.
Sipas Kushtetueses, procesi gjyqësor ishte zhvilluar në përputhje me të gjitha standardet dhe në favor të të akuzuarit, duke theksuar se ankesat e tij nuk kishin bazë kushtetuese. Mustafa kishte ngritur edhe pretendime lidhur me moszbatimin e ligjit më të butë nga paneli i Gjykatës Supreme, por edhe kjo ankesë u shpall e pabazë.
Ai gjithashtu kundërshtoi vendimin që i lejoi përfaqësuesit e viktimave të përgjigjen me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë, duke e konsideruar këtë si shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë. Megjithatë, edhe ky pretendim u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Salih Mustafa u arrestua më 24 shtator 2020 dhe procesi gjyqësor ndaj tij nisi më 15 shtator 2021, me pjesëmarrjen e 29 dëshmitarëve dhe 8 viktimave. Fillimisht u dënua me 26 vjet burgim në dhjetor 2022, por më vonë ky dënim u ul në 22 vjet dhe në fund, në një vendim të unifikuar, në 15 vjet.
Mustafa është i pari që është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte. Më pas është dënuar edhe Pjetër Shala me 18 vjet burgim, ndërsa gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – është ende në zhvillim.
Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të anëtarëve të UÇK-së ndaj pakicave dhe rivalëve politikë në periudhën 1998–2000. Ato funksionojnë në Hagë, por sipas ligjeve të Kosovës.