Lajme

Berisha: Programi ynë mbështet bizneset e vogla dhe fermerët – Tatimi i sheshtë 10% ka funksionuar më parë

Gjatë një takimi me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), kreu i PD-së, Sali Berisha, ka vënë theksin te rëndësia e një programi të qartë dhe realist për zhvillimin ekonomik, duke u fokusuar në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe fermerëve.

Berisha u shpreh i prekur nga mikpritja dhe shqetësimet që qytetarët shfaqën gjatë një vizite në treg, ku sipas tij, ndjeu afërsinë dhe sinqeritetin e tyre. Ai tregoi historinë e një kasapi që i rrëfeu se shitjet janë ndjeshëm më të ulëta krahasuar me të kaluarën, dhe tashmë qarkullimi ndodh kryesisht vetëm gjatë festave.

“Kemi një program vërtet të shkëlqyer. Ky është një program me të cilin mund të trokasim kudo – te bizneset e vogla, te fermerët, te qytetarët. Dhe është programi më realist, sepse pjesët më të vështira të tij janë testuar nga vetë ne,” u shpreh Berisha.

Ai kujtoi vendosjen e tatimit të sheshtë 10% gjatë kohës kur ishte në qeveri, duke theksuar se ky model pati sukses pavarësisht skepticizmit fillestar të Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Në fund të 6 muajve, morëm 300 milionë euro më shumë se një vit më parë. Tani nuk jemi më në të panjohura,” tha ai.

Berisha kritikoi gjithashtu rritjen e tarifave për hapësirat publike, duke e cilësuar si një barrë të rëndë për bizneset e vogla. Ai apeloi për më shumë ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj tyre: “Ne duhet të ulemi me ta, jo si politikanë, por si misionarë që ndjejnë vuajtjet e tyre.”

Sipas tij, zhvillimi ekonomik nuk mund të ndodhë pa forcuar bazën e ekonomisë – bizneset e vogla dhe bujqësinë – dhe për këtë arsye, Partia Demokratike ofron një alternativë të provuar që synon të rikthejë shpresën tek qytetarët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button